PROGRAMI I PARTISE LEVIZJA E LEGALITETIT
Partia “Lëvizja e Legalitetit” është një parti kombëtare me qendër në Tiranë. Ajo është besnike e kujtimit dhe e frymës së burrave të Rilindjes dhe të Pavarësisë Kombëtare të rënë në fushën e nderit për lirinë e pavarësinë e tokës Arbërore, besnike e virtyteve të fisit, trashëguese e traditave të besës, të nderit dhe të burrërisë, e mbështetur në fuqinë e shenjtë të familjes, në moralin dhe në zakonet më të shëndosha të vendit, me bazë ideje dhe veprimi ” Atdheu mbi të gjitha”.
Ajo është vazhduesja e ligjshme dhe e drejtpërdrejtë e Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” e krijuar në zjarrin e Luftës kundër nazi-fashistëve në nëntor të vitit 1943.
Me dëbimin e pushtuesve nazi-fashistë dhe me uzurpimin me dhunë të pushtetit nga komunistët, kjo Parti mbijetoi dhe zhvilloi në Botën e Lirë aktivitetet si formacion i organizuar politik në favor të çështjes kombëtare dhe kundër diktaturës sllavo-komuniste në Shqipëri.
E ndërgjegjshme për detyrimet që ka ndaj popullit dhe kombit shqiptar, PLL siguron se, si programi, ashtu dhe veprimtaria e saj, përjashtojnë përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve politike të vendit dhe konfirmon bindjen e saj në drejtësinë e dokumenteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së, parime të cilat shërbejnë si bazë dhe busull orientimi në tërë dokumentet dhe veprimtarinë politike të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka luftuar të tre diktaturat shkatërrimtare dhe më të egra të këtij shekulli për popullin shqiptar: fashizmin italian, nazizmin gjerman dhe komunizmin sllavo-ndërkombëtar.
Ajo e konsideron 7 prillin e vitit 1939 si fillimin e tragjedisë kombëtare dhe i të gjitha fatkeqësive të mëpastajme për popullin shqiptar, pasoja nga të cilat ende nuk jemi ndarë. Partia “Lëvizja e Legalitetit” asnjëherë nuk ka pranuar dhe vazhdimisht ka luftuar statusin politik, antikombëtar dhe antikushtetues, të krijuar në Shqipëri jo vetëm pas prillit 1939, por edhe pas 24 majit 1944.
Ajo është e mendimit se me vendosjen e përsosjen e plotë të demokracisë, populli është përcaktuesi më i mirë për vendosjen e formës së regjimit, Monarki Kushtetuese apo Republike.
Në fushën politike
1. Partia “Lëvizja e Legalitetit” lufton për krijimin e një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike, në përputhje me parimet bazë të Kartës së OKB-së dhe të dokumenteve themelore të OSBE-së.
2. Konsekuente me parimet e legjitimitetit e të demokracisë dhe në përputhje me të drejtën historike, politike e juridike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” aspiron dhe lufton që me rrugë dhe me mjete demokratike të vendosë Monarkinë Kushtetuese me Lekën I Mbret i Shqiptarëve. Njëkohësisht, ajo respekton të drejtën sovrane të popullit për të zgjedhur me anë të referendumit mbarëkombëtar formën e regjimit që pëlqen (Monarki Kushtetuese apo Republikë).
3. Partia “Lëvizja e Legalitetit” lufton që në Shqipëri të vendoset një shtet ligjor, modem bazuar në kushtet e vendit dhe përvojën ndërkombëtare. Ajo konsideron si objektiv e angazhim të përhershëm të saj sigurimin me ligj të drejtave e lirive themelore të njeriut, si e drejta e pronës, e drejta e fjalës dhe e shtypit, e drejta e organizimit politik, e zgjedhjes dhe e të zgjedhurit, liria e profesionit, qarkullimi i lirë i njerëzve dhe i ideve të përcaktuara në aktet e njohura ndërkombëtare (Deklarata e OKB-së për të drejtat e njeriut e të qytetarit dhe të OSBE-së për këtë çështje) dhe respektimin e tyre rigoroz me praktikë.
4. Ajo është për respektimin e lirë të ndërgjegjes. Në shoqërinë pluraliste botëkuptimi nuk mund të futet në kornizë ideologjike të njëanshme e moniste. Partia “Lëvizja e Legalitetit” njeh lirinë e besimit fetar dhe e mbron atë sipas parimit “Fe e lirë në shtet të lirë”.Ajo njeh të drejtën e ushtrimit të lirë të ceremonive të kultit dhe të veprimtarisë të komuniteteve e të institucioneve fetare që kanë për qëllim lirinë e plotë të besimeve në një shtet laik, mbron e respekton besimet e kombit pa asnjë preferencë.
5. Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka për qëllim mbrojtjen dhe lirinë e pakicave kombëtare me të drejta dhe detyra të barabarta ndaj ligjeve dhe institucioneve të vendit. Këto të drejta i shtron në kushte të barabarta dhe reciproke me kombet përkatëse.
6. Partia “Lëvizja e Legalitetit” përkrah sindikatat dhe funksionimin real të tyre, që ato të kthehen në organizata të vërteta demokratike e luftarake në mbrojtjen e interesave të anëtarëve të tyre e në pajtimin me interesat kombëtare, që ato të mos jenë të varura nga shteti dhe partitë politike. Ajo njeh të drejtën e grevës.
7. Partia jonë nuk e ndan diasporën shqiptare nga populli shqiptar. Ajo do të luftojë që të gjithë të mërguarve politikë dhe ekonomikë që ndodhen në botë, t’u njohë të drejtën e qytetarisë së dyfishtë dhe ata të gëzojnë të gjitha të drejtat politike që rrjedhin prej saj.
8. Ajo është për një politikë të jashtme aktive dhe dinamike, për zgjerimin dhe ngritjen në nivele të reja cilësore të marrëdhënieve të Shqipërisë me të gjitha vendet sipas parimeve të respektimit të sovranitetit kombëtar, të barazisë e të leverdisë reciproke, të mosndërhyrjes në punët e brendshme të njeri-tjetrit, duke synuar mbrojtjen e interesave të vendit tonë dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të tij, si dhe në interes të paqes, të sigurisë e të bashkëpunimit në Ballkan, Evropë dhe në botë.
Në fushën ekonomike
1. Partia “Lëvizja e Legalitetit” konsideron si objektiv dhe angazhim të përhershëm të saj kapërcimin e shpejtë dhe pa tensione shoqërore të krizës së rëndë e të gjithanshme ekonomike e të pasojave të tjera shkatërruese të sistemit totalitar komunist 50-vjeçar në fushën ekonomike. Ajo është për ristrukturimin e plotë të vendit, për zhvillimin me përparësi dhe modernizimin e degëve më të leverdishme të prodhimit e të sferave të tjera të ekonomisë.
Qëllimi do të jetë arritja e standardeve evropiane.
2. Rruga e vetme e suksesit në zhvillimin e ekonomisë është reformimi tërësor e rrënjësor i krejt sistemit ekonomik të vendit nëpërmjet privatizimit. Ekonomia e tregut ( ashtu si edhe shteti juridik, principet e pluralizmit dhe të drejtat themelore të njeriut) përbën një precedent historik (periudha 1920-1939) dhe parimin bazë të politikës ekonomike të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.
3. Nisur nga parimet se prona private është e shenjtë dhe e paprekshme, baza dhe garancia e qytetërimit njerëzor, nisur nga historia mbi 2500 vjeçare e pronës dhe e qytetërimit shqiptar në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtare të së drejtës së pronës, Partia jonë u njeh të gjithë titujt pronësorë pronarëve të tyre të ligjshëm; për rastet e pamundura pronarët të kompensohen nga shteti.
Ajo ka qenë dhe do të jetë kundër çdo lloj eksperimenti të kryer në emër të “revolucionit” apo “reformave” të motivuara nga qëndrime ideologjike apo partiake që cenojnë shenjtërinë e pronës private.
4. Për t’ju përgjigjur një ekonomie moderne tregu është e nevojshme reformimi i plotë i sistemit bankar, i sistemit të kreditit dhe atij fiskal, i praktikës monetare dhe buxhetore si dhe i çmimeve dhe i politikës doganore.
5. Për rritjen e mirëqenies së vendit, Partia jonë është që, në Shqipëri të zhvillohet sa më parë turizmi cilësor, ti jepet përparësi industrisë së lehtë e ushqimore dhe atyre degëve të ekonomisë me efektivitet të lartë.
6. Të stimulohet me të gjitha mjetet dhe mënyrat zhvillimi i infrastrukturave si ai i rrugëve e autostradave, transportit ajror, hekurudhor e detar, i telekomunikacionit etj.
7. Të zhvillohen ato degë të industrisë së rëndë, nxjerrëse dhe përpunuese për të cilat sigurohet lënda e parë në vend dhe që kanë efektivitet të lartë.
8. Partia jonë synon modernizimin e bujqësisë dhe të fshatit, ku të funksionojnë fermat individuale apo kolektive të bazuara në iniciativën e lirë; ngritjen e nivelit të lartë të bazës materiale, tregtare, postare; telefonizimin, urbanizimin dhe zhvillimin e turizmit në fshat.
9. Partia “Lëvizja e Legalitetit” synon funksionimin e një sistemi dinjitoz të asistencës sociale. Gjithashtu ajo angazhohet për një emigracion ekonomik të organizuar dhe të drejtuar nga shteti në përputhje me ligjet ndërkombëtare.
10. Partia jonë është për zhvillimin e gjerë të marrëdhënieve ekonomike me botën e jashtme duke përfshirë marrjen e ndihmave dhe të kredive, tërheqjen e kapitaleve të huaja, krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me partnerë të huaj dhe forma të tjera, duke krijuar të gjitha kushtet materiale dhe ligjore për tërheqjen e kapitalit të huaj, investimet e përbashkëta, garantimin e investimeve dhe lejimin e iniciativës së lirë të individëve e të ndërmarrjeve për marrëdhënie me partnerë të huaj, duke i dhënë përparësi diasporës shqiptare.
11. PLL do të punojë që vendi ynë të aderojë me të drejta të plota në të gjitha organizmat ekonomiko-financiare e tregtare evropiane dhe botërore. Ajo ka qenë, është dhe do të jetë që çdo marrëveshje dhe çdo veprimtari e përbashkët me partnerë të huaj, të mbajë parasysh interesin kombëtar të vendit, duke shmangur çdo veprimtari që rrezikon të vërë vendin dhe popullin tonë në pozita nënshtrimi dhe të pafavorshme ekonomike dhe politike.
Në fushën sociale
Partia “Lëvizja e Legalitetit” mban parasysh gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi, krizën e rëndë dhe të gjithanshme. Programi social i saj mbështetet në trashëgiminë më të mirë historike të periudhës së ekzistencës së shtetit të parë të pavarur shqiptar dhe në konceptet, normat e parimet bazë të qytetërimit bashkëkohor perëndimor.
1. Duke pasur në qendër të saj njeriun e lirë, dinjitetin e tij në një shoqëri ku sundon ligji dhe drejtësia shoqërore, ajo njëherazi do të luftojë që të ruhen, mbrohen dhe zhvillohen më tej traditat dhe virtytet më të mira të popullit shqiptar.
2. E drejta për punë është një e drejtë themelore e njeriut Partia jonë kërkon që shteti të përgjigjet me ligj për realizimin e kësaj të drejte. Ai, të sistemojë, të bashkërendojë e të përcaktojë lëvizjen e fuqisë punëtore brenda vendit, t’u japë zgjidhje optimale problemeve të zënies me punë të forcave të afta, të kujdeset për kufizimin maksimal të fenomenit të papunësisë duke përfshirë rikualifikimin e të papunëve dhe emigracionin ekonomik të organizuar, si dhe të sigurojë e asistencë sociale për të papunët dhe për familjet e tyre.
3. Partia jonë kërkon që shoqëria shqiptare të krijojë kushte sa më të përshtatshme materiale dhe shpirtërore të veprimtarisë së inteligjencës, inkurajimin dhe shpërblimin e drejtë të punës së kualifikuar intelektuale, për zhvillimin e lirë dhe të gjithanshëm të mendimit krijues, specializimin e lartë të inteligjencës brenda e jashtë vendit, lidhje, kontakte e shkëmbime të gjera të inteligjencës sonë me shkencën e kulturën botërore.
4. Partia “Lëvizja e Legalitetit” do të përpiqet për një legjislacion që të mbrojë familjen dhe të sigurojë mirëqenien morale, shëndetësore e materiale të nënës, të fëmijës, të pleqve, të të papunëve dhe të invalidëve.
5. Partia “Lëvizja e Legalitetit” mbështet aspiratat dhe kërkesat e drejta të rinisë për punë, arsim e kualifikim të përshtatshëm. Ajo do të përkujdeset që brezit të ri t’i kthehet besimi në të ardhmen e vet dhe të atdheut, që prej tij të largohet rreziku i plagëve të tilla shoqërore si papunësia, droga, alkoolizmi, rrugaçëria, etj., duke i krijuar asaj kushte për zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit, të prirjeve e të talentit, si dhe për pjesëmarrjen aktive të tyre në jetën shoqërore, politike, ekonomike e kulturore të vendit.
6. PLL do të përpiqet për ristrukturimin dhe përmirësimin rrënjësor të shërbimit mjekësor. Ai do të jetë shtetëror dhe privat, falas dhe me pagesë, sipas zgjedhjes së të sëmurëve që duhet të jenë të siguruar në shoqërinë e sigurimit.
7. PLL do të luftojë që ish të burgosurit e të përndjekurit politikë, luftëtarë të demokracisë, të rikthehen në jetën qytetare duke ndihmuar me përparësi si për punësimin, strehimin dhe shpërblimin material për të gjithë kohën e dënimeve që kanë vuajtur.
8. PLL do të synojë që shteti të përkrahë me efikasitet fëmijët jetimë, të braktisur dhe të keqtrajtuar duke u siguruar atyre rritjen dhe edukimin në institutet shtetërore.
9. Partia “Lëvizja e Legalitetit” kërkon që të vihet në zbatim legjislacioni i nevojshëm për mbrojtjen e ambientit dhe ruajtjen e ekuilibrave natyrore dhe, në kushtet e iniciativës private, të ushtrohet kontrolli i vazhdueshëm nga shteti.